residenti i Kosovës që 18 vjet më parë lexoi fjalimin për aktin historik të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sot qëndroi krenar përballë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku bashkë me shokët, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, e Rexhep Selimin, dhanë fjalët përfundimtare, në mbrojtje të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë moment me peshë historike, ish-presidenti iu drejtua trupit gjykues, Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por edhe popullit të Kosovës, për kauzën çlirimtare, rrugëtimin drejt lirisë, e vërtetë kjo që ndryshoi përgjithmonë fatin e vendit.
Fjalimin e nisi me urimin për Pavarësinë dhe e vazhdoi me deklarimin për pafajësinë e plotë për të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura nga ZPS.
“Të nderuar gjyqtarë, për vjet vite në këtë sallë të gjyqit i keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju i keni parë faktet, ju e keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm.”
Qysh në fillim, Thaçi i hodhi poshtë pretendimet e kësaj Prokurorisë se ka pasur qëllime që ta merrte kontrollin në Kosovë.
Njeriu që po planifikonte gjenocidin ishte krimineli Sllobodan Millosheviqi, tha ish-presidenti.
“Në kohën e masakrave në Qirez, Prekaz e Likoshan në fillim të vitit 1998 unë isha student në universitetin e Zurihit, dhe atëherë nuk po bëja plane për ta marrë kontrollin në Kosovë, por për t’i kaluar provimet. I vetmi njeri i cili po bënte plane morpide ishte Sllobodan Millosheviqi. Duke i parë masakrat në vendim tim nuk mund të qëndroja indiferent dhe vendosa të vij në Kosovë.”
Për kthimin në Kosovë, Thaçi tha se nuk është fare pishman, sepse siç i tha trupit gjykues, ka bërë atë që do ta bënte secili shqiptar.
“Nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosje. Bëra atë që do ta bënte secili. Për këtë jam shumë krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë”, tha ai.
Prandaj, ai tha se pretendimet e Prokurorisë përveç absurde dhe të pavërteta, janë edhe ofenduese, ndaj heronjve që e dhanë jetën për liri, raporton Klankosova.tv
“Prokuroria pretendon se qëllimi ishte marrja dhe ushtrimi i kontrollit të Kosovës. Është plotësisht e pavërtetë, absurde dhe thellësisht ofenduese. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronj që dhanë jetën për liri, është ofendim për viktimat e pafajshme të vrarë gjatë masakrave. Është ofendim dhe e padrejtë dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët unë bashkëpunova ngushtë.” – u deklarua Thaçi.
Ish-kreu i UÇK-së tha se luftën e nisi Millosheviqi, ndërsa kosovarët po vetëmbroheshin.
“Isha në kontakt me zyrtarët e administratës amerikane. Sllobodan Millosheviq e nisi luftën në Kosovë, ne kosovarët po vetëmbroheshim. Por luftën mund ta përfundonte vetëm NATO dhe askush tjetër”.
Prandaj, ai tha se po mos të ishte NATO-ja, nuk do të kishte liri, duke shtuar se suksesi më i madh i Kosovës ishte bashkëpunimi i plotë i vendit me Perëndimin.
