Po raportohet se do të nisë një valë ndryshimesh në kupolën e Policisë së Kosovës dhe dikastereve të rëndësishme brenda këtij institucioni të sigurisë, pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga pozita e drejtorit të përgjithshëm pas vrasjes së paralajmëruar të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Nacionale raportoi se ndryshimet pritej të bëheshin sot në disa prej pozitave më të rëndësishme drejtuese në Polici.
Agron Nezaj, Afërdita Mikullovci dhe Luan Keka, tre zyrtarë policorë me përvojë të gjatë në hallkat drejtuese të Policisë raportohet se do të preken nga këto ndryshime.
Sipas Nacionales, Agron Nezaj pritet të largohet nga pozita e drejtorit të Departamentit të Hetimeve, një prej departamenteve më të rëndësishme të Policisë, përgjegjës për hetimin e kriminalitetit, përfshirë krimin e organizuar dhe veprat e tjera të rënda penale. Ai e kishte udhëhequ këtë departament edhe gjatë mandatit të Gazmend Hoxhës në krye të Policisë dhe raportohet se kishte qenë pjesë e delegacioneve të larta policore në takime ndërkombëtare dhe në aktivitete të përbashkëta me Prokurorinë Speciale.
Afërdita Mikullovci, kolonele e cila që nga viti 2018 udhëheq Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, u raportua se do të prekej në pozitë.
Për të, Nacionale shkruan se është ndër gratë me përvojën më të gjatë në pozita të larta komanduese në Policinë e Kosovës. Sipas burimeve të gazetës, ajo pritet të largohet nga drejtimi i rajonit të Mitrovicës dhe të transferohet në strukturat e trafikut rrugor.

