Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, paraqitjen e mbrojtjes së tij do ta japë i akuzuari i tretë për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla
Sipas aktakuzës, Kokalla ngarkohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, pasi që Naim Murseli, ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ai ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin. Të tre akuzohen se janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim në shumë prej 30 mijë euro. Dyshimet janë se Murseli me datë 29 nëntor 2023 ka siguruar armën e zjarrit, të cilën ia ka dhënë Plavës, e që armën e ka përdorur për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt.
Gjithashtu, i akuzuari Kushtrim Kokalla ngarkohet edhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Në deklaratën e dhënë në polici më 1 dhjetor 2023, i pandehuri Kokalla kishte deklaruar se nga viti 2019 është pjesëtar i FSK-së. Ai ka thënë se Naim Murselin e ka djalë të dajës dhe të hallës, ndërsa Granit Plavën e ka bashkëfshatar dhe se njihen qysh kur kanë qenë të vegjël.
Kokalla kishte deklaruar se një javë para ngjarjes kishte qenë te Murseli në shtëpi dhe më pas ishin takuar me Granit Plavën. Atë natë, tha se i kishte shkruar Murseli dhe ia kishte kërkuar numrin e Plavës dhe se pas 2-3 ditësh ishin takuar, ku Murseli ia kishte dhënë Kokallës 300 euro për këstin e kredisë për të cilën thotë se ka hyrë për Murselin, ndërsa Plavës ia kishte dhënë 500 euro. Për këto të fundit, ka thënë se nuk kishte ide pse iu dhanë atij.
Sipas aktakuzës, Kokalla më 29 nëntor 2023 kishte biseduar me të akuzuarin Murseli dhe sipas tij në atë bisedë Murseli i ka kërkuar të takohen dhe u takuan rreth orës 9:30, ku i kishte thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, që sipas Kokallës kishte të bënte me vrasjen e Liridonës. Ai tha se rreth një vit i akuzuari Murseli e kishte lutur që ta kryente vrasjen.
“Naimi që afër një vit mua më ka lutur që ta kryej këtë vrasje unë. Atëherë unë i kam thënë nuk vjen në shprehje që ta bëjë këtë punë unë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, pati deklaruar ai.
