
Në kohën kur burgjet daneze po përballen me mbipopullim rekord dhe mungesë të personelit, 23 zyrtarë korrektues nga Kosova kanë filluar punën në tri burgje të Danimarkës. Ata do të qëndrojnë atje për gjashtë muaj, ndërsa do të jenë pjesë e stafit të rregullt dhe do të kryejnë detyrat edhe në mënyrë të pavarur.
Njëzet e tre zyrtarë korrektues nga Kosova kanë filluar këtë javë punën në burgjet Ringe, Vestre dhe Storstrom në Danimarkë, pas trajnimeve shtesë që kanë ndjekur më parë në këtë shtet.
Angazhimi i tyre do të zgjasë gjashtë muaj dhe, ndryshe nga praktika e mëparshme, këtë herë ata do të përfshihen në oraret e rregullta të punës dhe do të kryejnë detyrat në pavijonet e burgjeve, në bashkëpunim me kolegët danezë.
Kjo skemë ishte kundërshtuar që në vitin 2024 nga Sindikata e Zyrtarëve Korrektues të Danimarkës. Në atë kohë, kur ishte marrë vendimi për trajnimin e një grupi zyrtarësh nga Kosova në burgjet daneze, kryetari i atëhershëm i sindikatës, Bo Yde Sorensen, kishte paralajmëruar se nuk duhej lejuar që ata të lëviznin të pavarur në korridoret e burgjeve, me çelësat e tyre.
Megjithatë, kjo tashmë është bërë realitet, shkruajnë mediat e huaja.
Shërbimi Korrektues i Danimarkës e ka konfirmuar angazhimin e 23 zyrtarëve kosovarë, duke e cilësuar atë si pjesë të programit të tyre të trajnimit dhe përgatitjes profesionale.
Mads Beyer, i cili do të jetë përgjegjës për burgun e ri që pritet të hapet në Gjilan, ka thënë se kjo është pjesë e planit për përgatitjen e personelit që do të punojë në këtë institucion.
Ai ka pranuar se angazhimi i zyrtarëve nga Kosova lidhet edhe me vështirësitë që po përjetojnë burgjet daneze, si pasojë e numrit të madh të të burgosurve dhe mungesës së stafit.
Gjatë dy javëve të para, zyrtarët kosovarë pritet të punojnë së bashku me kolegët danezë, ndërsa më pas do të kryejnë shërbimin në bashkëpunim me punonjës me përvojë.
Ndërkohë, sindikata daneze vazhdon të shprehë shqetësime për këtë praktikë. Kryetari i saj aktual, Rene Larsen, ka thënë se paralajmërimet e bëra në vitin 2024 tashmë po realizohen.
Sipas tij, zyrtarët nga Kosova kanë përvojë pune në burgjet e vendit dhe kanë ndjekur trajnime gjashtëmujore në Danimarkë, por kjo nuk i eliminon dallimet në kulturë, rregulla dhe njohjen e gjuhës.
Larsen ka paralajmëruar se këto dallime mund të ndikojnë në komunikimin dhe krijimin e marrëdhënieve me të burgosurit. Ai ka theksuar se zgjidhja afatgjatë për mungesën e personelit duhet të jetë rekrutimi dhe mbajtja e punonjësve ekzistues, si dhe ulja e mungesave në punë për shkak të sëmundjeve.
Shqetësimet janë shtuar edhe pas një rasti të ndodhur më herët gjatë këtij viti, kur dy zyrtarë korrektues nga Kosova u akuzuan për ushtrim dhune ndaj një të burgosuri gjatë periudhës së trajnimit në burgun Vestre. Autoritetet daneze kanë bërë të ditur se rasti është marrë seriozisht dhe i është dorëzuar policisë.
Pavarësisht këtyre kritikave, Shërbimi Korrektues i Danimarkës vlerëson se përvojat me zyrtarët nga Kosova kanë qenë përgjithësisht pozitive.
Përveç angazhimit të tyre të përkohshëm në burgjet daneze, ky bashkëpunim synon edhe përgatitjen e personelit për burgun e ri që pritet të hapet në Gjilan