Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, më 25–27 janar, me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.
Kryeministria përmes një njoftimi ka zbuluar agjendën e kësaj vizite, ku kryeministri shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimimes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.
Paralelisht, Linda Rama, në shoqërinë e zonjës Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.
Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit.
Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.
Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.
