Disa fjalë që deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i përdori teksa propozoi një bashkëpartiak të tij për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, ishin ndër shkaqet e shtyrjes së seancës konstitutive të legjislaturës së 11-të, më 9 shtator.
Teksa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e konsideroi jokushtetues përdorimin e shprehjes “në emër të popullit serb” nga Simiq, Lista Serbe akuzoi kreun e saj, Albin Kurti, se po përpiqet ta vonojë formimin e institucioneve, në mënyrë që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen në dhjetor, kur ai mund të llogarisë edhe në votat e diasporës.
A është i diskutueshëm përdorimi i këtij termi?
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Simiq duhej ta propozonte kandidatin për nënkryetar të Kuvendit me fjalët “në emër të grupit parlamentar të Listës Serbe”, por ai nuk e arsyeton as reagimin e LVV-së.
Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës tashmë është shkelur, pasi Kuvendi nuk është konstituuar brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve – afat i përcaktuar në një prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Kosova gjendet në një krizë të thellë politike dhe institucionale tash e gati dy vjet. Zgjedhjet e fundit, të mbajtura më 7 qershor, ishin të tretat brenda 18 muajsh dhe u shpallën pasi partitë politike nuk arritën të pajtoheshin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
“Afati për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Tani kemi vetëm manovra politike, inate ballkanike dhe primitivizëm”, vlerëson Kryeziu.
Sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se përdorimi i termit “populli serb” nuk është kontestues.
Ai e cilëson vendimin e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, për ta ndërprerë seancën për këtë arsye si “akt populist”, që u përdor pasi “Vetëvendosjes i duhej një alibi për ta shtyrë konstituimin e Kuvendit”.
“Simiq e ka përdorur pa asnjë problem të njëjtën shprehje në Kuvend në vitin 2021, sikurse Albulena Haxhiu në vitin 2018 në qëndrimin e saj për dialogun, por edhe vetë Kurti më 3 qershor 2023, në fjalimin e tij në Kuvend lidhur me sulmin ndaj KFOR-it në veri të Kosovës”, thotë Muhaxhiri.
Deputeti i partisë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar e kishte përdorur këtë term, të cilin LVV-ja tani e konsideron kontestues, edhe në seancën e 10 tetorit 2025, kur kishte thënë: “Duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese, propozojmë që nënkryetar i Kuvendit nga populli serb të jetë Zllatan Ellek”.
Muhaxhiri vlerëson se, duke marrë parasysh rrethanat aktuale, Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet së shpejti, pasi “Kurti nuk e dëshiron këtë”.
Ai thekson se Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë i Kosovës, gëzon mbështetje të madhe nga diaspora, dhe se një skenar i mundshëm është që ai të synojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja rreth festave të fundvitit, kur në Kosovë zakonisht vijnë votues nga jashtë vendit.


