Shkruan: Bedri Halimi
Kur drejtësia lind nga një premisë politike, pyetjet politike nuk mund të ndalohen në derën e gjykatës
Ka gjykata që lindin nga krimi.
Ka gjykata që lindin nga nevoja për drejtësi.
Por ka edhe mekanizma gjyqësorë, lindja, përzgjedhja e juridiksionit dhe konteksti politik i të cilëve krijojnë pyetje që nuk mund të mbyllen thjesht me fjalinë: “Gjykata duhet lënë të bëjë punën e vet.”
Gjykata Speciale për Kosovën, jo vetëm sipas meje, i përket pikërisht kësaj kategorie.
Kjo nuk do të thotë se çdo krim i pretenduar duhet mohuar. Nuk do të thotë se të gjithë individët apriori mund të jenë të pagabueshëm. Dhe aq më pak do të thotë se një viktimë reale duhet të heshtë.
Do të thotë diçka tjetër: drejtësia duhet të jetë drejtësi edhe në mënyrën se si lind, edhe në mënyrën se si përzgjedh objektin e saj, edhe në mënyrën se si e vendos një luftë në kontekstin historik.
Dhe pikërisht këtu fillon problemi.
Gjithçka nisi me një akuzë që tronditi botën
Nuk duhet harruar origjina.
Vetë dokumentet e Dhomave të Specializuara pranojnë se pararendësja hetimore, SITF-ja, u krijua për të hetuar pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2011, titulli i të cilit përmendte shprehimisht “trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore”. Prokuroria Speciale më pas trashëgoi personelin dhe mandatin e atij mekanizmi.
Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Sepse akuza për trafikim organesh nuk ishte një hollësi anësore në perceptimin publik ndërkombëtar. Ishte pretendimi që prodhoi tronditjen morale.
Dhe kush mund të thoshte: Mos e hetoni?
Asnjë shqiptar me ndërgjegje të pastër nuk kishte arsye ta thoshte.
Nëse pretendohej se njerëzit ishin vrarë për t'iu marrë organet, përgjigjja normale ishte:
Urdhëroni. Hetojeni. Gjejeni të vërtetën.
Sepse edhe vetë UÇK-ja kishte interes që një akuzë e tillë monstruoze të sqarohej.
Por ja paradoksi historik: sot Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk po gjykohen për trafikim organesh. Aktakuza operative përmban akuza për përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje, zhdukje me forcë, arrestim dhe ndalim arbitrar e trajtim mizor.
Prandaj pyetja është e pashmangshme:
Si mbërritëm nga pretendimi që tronditi Evropën për trafikim organesh te ky proces?
Kjo nuk është pyetje kundër drejtësisë.
Është pyetje për historinë e vetë kësaj drejtësie.
Serbia kishte nevojë për një kundërnarrativë
Pas luftërave jugosllave, Serbia mbante një barrë politike dhe historike jashtëzakonisht të rëndë.
Nga Sllovenia, në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë e deri në Kosovë, shpërbërja e Jugosllavisë u shoqërua me luftëra, spastrim etnik, masakra dhe krime të rënda deri në gjenocid.
Kosova ishte kapitulli i fundit i asaj tragjedie.
Pas ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, Beogradi kishte një problem të madh politik:
duhej të ndryshonte narrativën.
Nga shteti që duhej të përgjigjej për politikën e vet, Serbia përpiqej gjithnjë e më shumë të paraqitej edhe vetë si viktimë:
Na bombarduan.
Na morën Kosovën.
Edhe shqiptarët kanë kryer krime.
Pikërisht këtu lind ajo që jo vetëm unë unë e shoh si përpjekje për baraspeshë politike të fajit.
Jo domosdoshmërisht për të thënë se Serbia nuk kishte kryer krime.
Kjo do të ishte tepër e vështirë.
Por për të krijuar përshtypjen:
“Të gjithë ishin njësoj.”
Dhe këtu duhet bërë dallimi themelor.
Krimi individual duhet hetuar, pavarësisht se kush e ka kryer.
Por krimi individual nuk mund të përdoret për të barazuar moralisht agresorin me rezistencën ndaj tij, aparatin e një shteti me një ushtri kryengritëse të krijuar në kushte represioni.
Ky dallim është themelor.
UÇK-ja nuk ishte një ushtri e lindur në akademitë ushtarake
Sot është tepër e lehtë të ulemi në një sallë të qetë, njëzet e tetë vjet më vonë, me dokumente të sistemuara, kompjuterë, juristë dhe procedura të përsosura dhe të pyesim:
Pse nuk funksionoi kështu?
Pse nuk ekzistonte ky mekanizëm?
Pse nuk raportoi ky komandant?
Pse nuk e kontrolloi këtë person?
Por Kosova e vitit 1998 nuk ishte Haga e vitit 2026.
UÇK-ja nuk lindi si një ushtri e rregullt e një shteti të konsoliduar.
Ajo u krijua në kushte lufte.
Njerëzit hynin vullnetarisht.
Dikush vinte me pushkë.
Dikush pa pushkë.
Dikush qëndronte deri në fund.
Dikush largohej.
Dikush kalonte kufirin dhe nuk kthehej më.
Komunikimet ishin të vështira. Strukturat ndërtoheshin gjatë vetë luftës. Territore të tëra sulmoheshin. Popullsia zhvendosej. Njerëzit vriteshin. Fshatra digjeshin.
Kjo nuk e përjashton përgjegjësinë individuale për krime.
Por është thelbësore për të kuptuar shkallën reale të komandimit dhe përgjegjësisë.
Sepse nuk mund t'i imponosh mekanikisht realitetit të grupeve guerile të shpërndara në formim fotografinë institucionale të një ushtrie të rregullt dhe pastaj çdo boshllëk organizativ ta shndërrosh në argument fajësie.
Dhe pastaj vjen dëshmitari
Këtu çështja bëhet shumë më e dhimbshme.
Unë nuk do ta quaja tradhtar një shqiptar vetëm sepse ka dëshmuar, nëse nuk ka gënjyer.
Nëse dikush ka parë një krim real, viktima ka të drejtë të flasë. Kombi nuk ndërtohet duke i kërkuar viktimës të gënjejë.
Por krejt tjetër është dëshmitari që gënjen.
Krejt tjetër është ai që fabrikohet.
Ai që pranon të bëhet pjesë e një skenari politik.
Ai që për interes personal, para, hakmarrje apo armiqësi vendos të shtojë një gur të rremë në murin e një akuze.




