Kryetarët e Fushë-Kosovës dhe Obiliqit e kanë cilësuar të papranueshme nismën e Komunës së Prishtinës për të taksuar me 10 euro secilin qytetar që nuk është rezident në kryeqytet, e që hyn me automjet në qytet. Në fqinjin perëndimor të kryeqytetit kanë paralajmëruar taksë dyfish më të lartë për prishtinasit nëse nisma finalizohet
Dyfishin e taksës së propozuar nga Komuna e Prishtinës, e ka paralajmëruar kryetari i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, për qytetarët e kryeqytetit.
Që nga e hëna, Komuna e Prishtinës e ka vendosur në konsultim publik plotësim-ndryshimin e Rregullores për Tarifa, Gjoba dhe Ngarkesa.
Në të parashihet vendosja e një takse prej 10 eurosh për secilin qytetar që nuk është rezident në kryeqytet dhe që hyn me automjet në qytet.
Prebreza ka thënë se edhe më herët ka paralajmëruar kundërmasa ndaj kësaj nisme. Sipas tij, pozita gjeografike e Fushë-Kosovës i jep mundësi komunës që të shqyrtojë masa të ngjashme nëse propozimi i Prishtinës hyn në fuqi.
“Në qoftë se kjo taksë kalon, e po shpresoj shumë që nuk duhet të kalojë, duhet ta shoh edhe unë si Komunë e Fushë Kosovës, duke e pasur parasysh pozicionin gjeografik, nyjën në të cilën jemi me të gjithë infrastrukturën, ku është e pamundur të zhvillohet jeta në Prishtinë pa u parë dhe pa kaluar kah Fushë Kosova. Kështu që nëse ai e kalon atje, ne i fillojmë procedurat tona për qytetarët e Prishtinës po flas”, ka deklaruar Prebreza.
Ai ka përsëritur se një prej opsioneve do të ishte vendosja e një tarife edhe më të lartë për qytetarët e Prishtinës që kalojnë nëpërmjet Fushë-Kosovë.
“Reagimi jem ka qenë atëherë që, në qoftë se kjo kalon në Prishtinë, unë në Fushë-Kosovë do të vendos taksë 20 euro për qytetarët e Prishtinës, gjë të cilën e kam thënë edhe me ironi për të zgjuar opinionin, por edhe jo sepse s’e kemi menduar atë”, ka thënë Prebreza.
Përgjigje ndaj kësaj takse ka paralajmëruar edhe kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi. Ai ka thënë se komuna që udhëheq do të shqyrtojë hapat e mëtejmë nëse propozimi i Komunës së Prishtinës miratohet.
“Bazuar në rrethanat që do të vijnë sigurisht që edhe ne si Komunë e Obiliqit do t’i përgjigjemi kësaj gjobe që u shton qytetarëve, apo ngarkese që ua jep qytetarëve kryetari i Prishtinës”, ka deklaruar ai.
