Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur rinumërimi i 5 vendvotimeve, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Vendvotimet e rinumëruara janë nga komunat Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06), Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02). Rezultatet e rinumërimit janë publikuar në platformën zyrtare të rezultateve në rubrikën “Rezultatet QNR – Rinumëruara”.
Në të njëjtën kohë, në QNR po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht, ndërsa pas përfundimit të tij pritet të fillojë numërimi i fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta. Edhe këto rezultate po publikohen në platformën online, në seksionin “Rezultate QNR – Votimi me kusht”.
Votimi me kusht u zhvillua në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta u realizua jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve.
