NATO ka deklaruar se është e gatshme të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për mbrojtjen e aleatëve të saj, pas raportimeve se Irani ka shqyrtuar mundësinë e sulmeve ndaj instalimeve ushtarake amerikane në Evropë.
Sipas raportimeve, në Teheran janë analizuar skenarë për goditjen e bazave amerikane në Evropën Juglindore, në rast se SHBA-ja përshkallëzon operacionet ushtarake.
Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se aleanca ka kapacitete të fuqishme mbrojtëse dhe parandaluese.
“NATO është e përgatitur të përballet me çdo kërcënim dhe gjithmonë do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”, ka thënë zyrtari.
