Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës e konsideron vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë lidhur me vendosjen e çmimeve tavan për derivatet e naftës si të dëmshëm për naftëtarët dhe antikushtetues.
Kryetari i Shoqatës, Fadil Berjani tha se kjo industri përballet me pasoja serioze nga ky vendim, duke theksuar se ky vendim u shkakton humbje të mëdha.
“Ky vendim është i dëmshëm dhe po na shkakton humbje. Kemi kërkuar që të mos hyjë në fuqi, pasi Kosova ka çmimet më të ulëta të derivateve në rajon, ndërsa ky vendim i dëmton bizneset. Kjo është puna dhe kontributi i naftëtarëve”, tha Berjani.
Edhe përfaqësues të tjerë të naftëtarëve kundërshtuan këtë vendim. Agim Behluli nga shoqata tha se Kosova nuk ka rezerva të veta dhe varet nga tregjet ndërkombëtare.
“Duhet të kemi depozita dhe rezerva, sepse varemi nga bursa ndërkombëtare. Ne nuk kemi rezerva tona dhe në rast krizash globale kemi vështirësi në furnizim. Jemi të detyruar t’i mbajmë këto çmime”, u shpreh ai.
