Ish-kryeministri Isa Mustafa ka folur për zhvillimet e fundit të partisë që drejtoi për disa vite pasi LDK doli me një rezultat të dobët nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Mustafa nuk u lëshua shumë në komentimin e vendimit të kreut aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për ofrim të dorëheqjes, por ai bëri një krahasim me veprimet e tij kur LDK po ashtu pati rezultat të dobët në vitin 2021.
“Kur ne ramë në rreth 13%, LDK e lexoi drejt zërin qytetar. Prandaj, unë dhe bashkëpunëtorët e mi e kuptuam që duhen të bëhen ndryshime”, tha Mustafa.
Ai tha se në raste të tilla fjalët duhet të maten para se të thuhet sepse më pas ka konsekuenca.
“Edhe Abdixhiku dhe gjithë ne që merremi me politikë, duhet të mendojmë më gjatë para se ta themi fjalën. Më 28 doli dhe tha se e merr përgjegjësinë objektivisht për rezultatin. Më vonë tha se do t’ia ofrojë dorëheqjen Kuvendit dhe unë s’mund të them nëse është dashur të japë dorëheqje ose jo, por është dashur t’i matë fjalët para se t’i thotë. Të flejë një natë, të pushojë pak, të konsultohet me bashkëpunëtorët”, tha ai në një intervistë për Kosova Press.
