Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me shpenzimet prej 36 milionë eurosh për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.
Mustafa tha se kjo shumë është e vogël krahasuar me peshën e çështjes që po zgjat prej pesë vitesh, duke theksuar se vetëm shpenzimet e udhëtimeve të familjarëve dhe qytetarëve për vizita i afrohen kësaj vlere.
“Ndjehem keq që kryeministri i vendit tim merret me aq pak mjete për një çështje aq të madhe që po e jetojmë prej pesë vitesh. Pesë vite, të gjithë ata familjarë dhe gjithë ajo shoqëri që kanë shkuar për vizita, vetëm biletat e udhëtimit mund të kushtojnë diku përafërsisht sa kjo vlerë që po e përmend Kurti”, tha Mustafa.
Mustafa shtoi se, ndonëse Kurti është veteran, ka ndërmarrë veprime që, sipas tij, kanë dëmtuar veteranët, përfshirë largimin e tyre nga ligji për pagën minimale.
