Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka pritur sot në një takim zyrtar Ambasadoren e Republikës së Maltës në Kosovë, Juliana Scerri Ferrante.

Gjatë takimit u diskutua për projektet e përbashkëta të realizuara gjatë mandatit të kryetarit Muhaxheri, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në të ardhmen, me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit të Pejës. Fokus i veçantë iu kushtua nxitjes së investimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Kryetari Muhaxheri falënderoi Ambasadoren Ferrante për mbështetjen e vazhdueshme që Malta ka ofruar për Kosovën dhe komunën e Pejës, duke vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve.