Mark Montgomery dhe Ivana Stradner, dy ekspertë të çështjeve të sigurisë kanë argumentuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta ruajnë praninë e tyre ushtarake në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, pavarësisht rishikimit të pozicionimit të forcave amerikane në Evropë dhe mundësisë së shkurtimeve buxhetore.
Në një shkrim autorial të publikuar në portalin amerikan të specializuar për çështje të mbrojtjes, Defense One, autorët vlerësojnë se rreth 600 ushtarët amerikanë që shërbejnë në KFOR përbëjnë një angazhim me kosto të ulët, por me rëndësi të madhe strategjike për ruajtjen e paqes në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.
Sipas tyre, tërheqja e trupave amerikane nga ky mision do të sillte kursime të papërfillshme për buxhetin amerikan, ndërsa do t’i ofronte Rusisë një fitore strategjike.
“Tërheqja e tyre nuk do të sillte pothuajse asnjë dobi, ndërsa Moskës do t’i dhuronte një fitore strategjike të lehtë”.
Autorët theksojnë se roli i SHBA-së në KFOR nuk është lehtësisht i zëvendësueshëm, pasi prania amerikane ka rëndësi jo vetëm ushtarake, por edhe politike dhe parandaluese.
Në shkrim rikujtohet se KFOR-i u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ndërsa pavarësisht shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Serbia vazhdon të mos e njohë shtetësinë e Kosovës, me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.
Ekspertët paralajmërojnë se Moska ka përdorur vazhdimisht Serbinë si instrument ndikimi për të nxitur tensione dhe për të sfiduar stabilitetin në Kosovë. Si shembuj përmenden provokimi me trenin rus në vitin 2017, sulmi në Banjskë në vitin 2023 dhe përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës.
