Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik, ka intensifikuar kontrollet në barnatoret në të gjithë Kosovën për mbikëqyrjen e çmimeve të barnave.
Sipas njoftimit të MINTI-t, aksioni është ndërmarrë pas ankesave të konsumatorëve për mospërputhje mes çmimit të shënuar në banderolë dhe atij të paraqitur në arkë.
Gjatë inspektimeve të realizuara sot në Komunën e Pejës, ndaj subjekteve ku janë konstatuar shkelje janë shqiptuar gjoba. Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, përmes aksioneve në të gjitha rajonet e Kosovës.
MINTI ka rikujtuar se, në rastet kur çmimi i paguar nuk përputhet me çmimin e paraqitur për konsumatorin, zbatohen dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, përkatësisht neni 26, paragrafi 9, në lidhje me nenin 137, paragrafi 1, nënparagrafi 1.11.
