Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve: ish-ministrit Fadil Ismajli, avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarit Jovica Mitrović, Bedri Dibranit, Shaban Tërbunjës, Naim Krasniqit dhe Goran Llazic, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme.
Sipas dokumenteve të Prokurorisë, të siguruara nga “Betimi për Drejtësi” të dyshuarit kanë krijuar një rrjet të mirëorganizuar që synonte përfitime të kundërligjshme nga kompensimet për pronat e shpronësuara, duke shkelur ligjet për shpronësim dhe duke realizuar propozim-ankesa të vonuara ligjërisht.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, avokatja Mirlinda Bllata-Dibrani ka parashtruar propozim-ankesa për ish-pronarët e pronave të shpronësuara, edhe pasi afatet ligjore kishin kaluar dhe kompensimi ishte dhënë më parë.
Gjithashtu, Bllata-Dibrani ka marrë paratë e ekzekutuara nga thesari i shtetit dhe i ka transferuar tek të dyshuarit e tjerë sipas përqindjeve të dakorduara në rrjetin e përfitimeve të paligjshme.
Gjyqtari Jovica Mitrović dhe përfaqësuesit e Avokaturës Shtetërore, përfshirë Naim Krasniqin, sipas pretendimeve të Prokurorisë, nuk kanë kundërshtuar këto ankesa dhe kanë lejuar përfundimin e propozim-ankesave me Ujdi Gjyqësore, duke legalizuar pagesat përfituesve në mënyrë të parregullt. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë krijuar mundësinë që ish-pronarët e kompensuar më parë të përfitojnë sërish, duke përfshirë edhe përfitime për vetë të dyshuarit, transmeton Klankosova.tv.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimit të nënshkruar nga prokurori special, Dren Paca, thuhet se i dyshuari Fadil Ismajli ka marrë shumicën e parave nga ekzekutimi i pagesës (rreth 210,000 euro) dhe i ka dorëzuar ato tek Bedri Dibrani, i cili më pas i ka shpërndarë mes të dyshuarve të tjerë: 4,000 euro për Jovica Mitrović, 5,900 euro për Shaban Tërbunja, 9,500 euro për Goran Llazic, 9,000 euro për Naim Krasniqi dhe 7,000 euro për Ridvan Krasniqi.
Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, Fadil Ismajli funksiononte si ndërmjetës kyç, duke koordinuar transferimin e parave dhe siguruar respektimin e marrëveshjeve për shpërndarjen e fitimeve të paligjshme.




