Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut kanë ndaluar javën e kaluar importin nga Kosova të dy dërgesave me qumësht UHT, me peshë totale prej 27 mijë e 520 kilogramësh, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar.
Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut, qumështi ishte destinuar për shitje në një zinxhir marketesh në Maqedoninë e Veriut. Pas konstatimit të mospërputhjes me standardet e sigurisë ushqimore, sasia e qumështit është asgjësuar nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar në deponinë “Drisla”.
Mostrat për analiza laboratorike janë marrë në kuadër të Programit të Monitorimit, përmes të cilit kontrollohen dërgesat e ushqimit me origjinë shtazore që importohen në vend.



