Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, do ta realizojë vizitën e saj të parë në Kosovë të premten, më 15 maj. Kjo është bërë e ditur nga burime joformale në institucionet evropiane për REL, ndërsa vizita pritet të konfirmohet zyrtarisht gjatë ditëve në vijim.
Kjo do të jetë vizita e parë e Kosit në Kosovë që kur mori detyrën e komisioneres për Zgjerim në Komisionin Evropian, më 1 dhjetor 2024.
Që prej marrjes së mandatit, ajo ka vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Partneritetin Lindor, disa prej tyre edhe më shumë se një herë.
Gjatë vitit 2025, mungesa e vizitës së saj në Kosovë është arsyetuar nga zyrtarët evropianë me mungesën e institucioneve funksionale në vend, për shkak të krizës politike që e ka shoqëruar Kosovën gjatë muajve të fundit.
Një vizitë e Kosit në Prishtinë ishte planifikuar për 12 mars, por ajo u anulua pasi ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 6 mars vendosi shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, sipas burimeve në Bruksel, tani vlerësohet se vizita duhet të realizohet pavarësisht situatës politike, pasi nuk pritet që gjendja në Kosovë të ndryshojë thelbësisht në një periudhë të shkurtër.
Në fund të prillit, Kos deklaroi në Parlamentin Evropian se pret të vizitojë së shpejti Kosovën për të diskutuar reformat që lidhen me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
