Prej nëntë vitesh, me fletarrest qendror dhe ndërkombëtar, kërkohet Petre Karamanov nga Velesi, i dënuar për vjedhjen e qebapëve. Rasti, edhe sot e kësaj dite, mbetet simbol i drejtësisë selektive, me perceptimin se ndëshkohen vetëm qytetarët e zakonshëm, por jo edhe të fuqishmit.
Megjithatë, shprehja “në burg mbeti vetëm ai me qebapët”, e cila përdoret në folklorin politik në Maqedoni, nuk pasqyron të vërtetën. Kjo për shkak se Karamanovi, në fundjavën e parë të lirë që iu lejua në vitin e largët 2017, nuk u kthye më në burg.
“Personi për të cilin po pyesni është dënuar me gjashtë vjet e 11 muaj burg, sipas nenit 237, paragrafi 1 dhe nenit 236, paragrafi 1 të Kodit Penal. Për të është shpallur fletarrest qendror dhe ndërkombëtar për shkak të arratisjes nga Institucioni Ndëshkues-Përmirësues, Burgu i Idrizovës”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme për “Sloboden Peçat”.
Nga burgu i Idrizovës për “Sloboden Peçat” thonë se ai ishte arratisur në vitin 2017 dhe se i kishin mbetur edhe disa vite për ta vuajtur dënimin me burg.
Historia e personit të dënuar me tre vjet burg për vjedhjen e qebapëve daton nga viti 2015, kur ai, atëherë 31-vjeçar, kishte hyrë me forcë në një restorant pranë stacionit të autobusëve në Veles dhe kishte vjedhur 150 qebapë, 20 qofte, disa litra alkool, birra dhe produkte të thata të mishit, në vlerë të përgjithshme prej rreth 6.000 denarësh. Gjykata e Velesit, në vitin 2015, i kishte shqiptuar dënim me tre vjet burg për veprën penale “vjedhje e rëndë”.


