Ka nisur rehabilitimi i rrugës “Agron Rrahmani”, në segmentin e Uglarit, e cila lidh komunat e Fushë Kosovës dhe Graçanicës. Projekti, me gjatësi prej 2.8 kilometrash, ka një kosto prej 1 milion e 320 mijë eurosh, ku 1.1 milion euro financohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa 220 mijë euro nga Komuna e Fushë Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve, kryeministri Albin Kurti tha se kjo rrugë do të ndikojë edhe në lehtësimin e trafikut në kryeqytet, duke theksuar se projekti përfshin ndërtimin e trotuareve, kanalizimit atmosferik dhe infrastrukturës tjetër përcjellëse.
“Me rastin e fillimit të këtij projekti tejet të rëndësishëm, me gjatësi prej afër tre kilometra apo më saktësisht 2.8 kilometra, që lidh këto dy komuna, pra Fushë Kosovën me Graçanicën, por që ndikon shumë edhe në shkarkimin e trafikut të dendur në fytat e ngushtë të kryeqytetit, pra të Prishtinës. Siç mësuam prej operatorit ekonomik, do të ketë trotuare, do të ketë gjithashtu edhe kanalizim atmosferik dhe infrastrukturë tjetër përcjellëse, ashtu që qytetarëve t’ju garantojmë jo vetëm lëvizje më të shpejtë, por njëkohësisht edhe trafik më të sigurt”, tha ai.
Kurti theksoi se rruga mban emrin e dëshmorit të kombit, Agron Rrahmani, ndërsa tha se realizimi i projektit do të ndikojë në rritjen e sigurisë dhe zvogëlimin e kohës së udhëtimit për qytetarët dhe bizneset.
“Nëpërmjet kësaj rruge, e cila mban emrin e dëshmorit të kombit, veprimtarit patriot e luftëtarit të paepur Agron Rrahmanit, ne i ndihmojmë qytetarët, pra njerëzit e familjet, por gjithashtu edhe bizneset, e rrisim sigurinë, e zvogëlojmë kohën, por gjithashtu edhe e zvogëlojmë stresin në trafik, i cili është një ndër problemet e mëdha që kanë njerëzit anë e mbanë Kosovës, e në veçanti në rajonin e Prishtinës, ku janë këto dy komuna, pra Fushë Kosova edhe Graçanica. Kostoja e gjithëmbarshme është 1 milion e 320 mijë euro, prej të cilave 1.1 milion është nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, pra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërkaq 220 mijë euro janë nga Komuna e Fushë Kosovës, për çfarë i falënderoj për këtë bashkëpunim”, tha ai.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, tha se ministria ka mbështetur dy komunat edhe në hartimin e projektit, duke angazhuar ekspertë dhe mbuluar shpenzimet për këtë proces.

