Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka cilësuar deklaratën e ministres në Qeverinë e Serbisë, Sezhana Paunoviq, për spastrim etnik në Kosovë si dëshmi të një “fryme gjenocidiste” që, sipas tij, vazhdon të ekzistojë në politikëbërjen serbe. Ai tha se deklarata të tilla dëmtojnë përpjekjet për stabiitet dhe siguri afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa theksoi se Kosova sot është në një pozitë shumë më të fortë sa i përket sigurisë.
Maqedonci u shpreh se deklarata e ministres serbe nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një qasjeje të kahershme të politikës serbe.
“Së pari, qëndrimi i ministres serbe është një qëndrim ultrashovinist që shpërfaq frymën gjenocidiste që fatkeqësisht ende ekziston në politikëbërjen në Serbi. Pra, kemi një frymë gjenocidiste që ekziston atje për shumë vite, çka ka ekzistuar edhe para kësaj qeverisjeje, dhe fatkeqësisht ajo frymë është atje. Pra, ministrja serbe ka thënë diçka që e ka thënë në kuadër të një fryme që e gjen në vazhdimësi në politikëbërjen e Serbisë”, tha ai.
Maqedonci, tha se një deklaratë e tillë është e rrezikshme jo vetëm për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por për të gjithë rajonin.
“Normalisht që është një qëndrim jashtëzakonisht i dëmshëm, jo vetëm për sigurinë në raport me Kosovën, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor, sepse nxjerr në pah, pra, rinxjerr në pah prapë çështjet që i kemi pasur në vitet e 90-ta, pra qëndrimet edhe politikën agresive të Serbisë në raport me fqinjët. Kur vjen kjo deklaratë prej një ministreje, prej një zyrtareje të qeverisë, atëherë e bën edhe më të dëmshme, mund të themi, komplet tentativën për të vendosur stabilitet dhe siguri afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo, përderisa Serbia vazhdon të mbajë në kushtetutën e saj Kosovën si pjesë të saj, pavarësisht këtyre distancimeve të Vuçiqit në raport me këtë ministre, ne mund të themi që vazhdojmë të shohim aty pikërisht një frymë hegjemoniste, e cila ushqen këto lloj deklaratash dhe këto lloj qëndrimesh të zyrtarëve të Serbisë”, u shpreh Maqedonci.
I pyetur nëse, pas sulmeve si ai në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc, deklarata të tilla mund të paralajmërojnë cenim të ri të sigurisë në Kosovë, Maqedonci tha se situata ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara.
“Çka mund të them sot, që e kemi thënë edhe shumë herë, është që sot Kosova është në një situatë të ndryshme nga ajo që ka qenë vitet më parë. Sot rendi dhe ligji janë prezentë në të gjithë territorin e Kosovës. Kosova administrohet nga qeveria. Kemi një shtrirje, pra të administratës, në të gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë katër komunat veriore. Kemi një shtrirje të rendit dhe ligjit, të sovranitetit dhe të rregullsisë e kushtetueshmërisë në të gjithë territorin e Kosovës, gjë që i ka dhënë mundësi Kosovës që të ketë një ambient më të sigurt”, thotë ai për Ekonomia Online.
Ai tha se grupet terroriste që kanë vepruar në veri janë mposhtur dhe dëbuar, megjithëse rreziku nuk është eliminuar plotësisht për shkak të mbështetjes që, sipas tij, vazhdojnë të marrin në Serbi.
