I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.
Lushtaku foli në lidhje me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ai potencoi se pozita tashmë frikësohen nga vetë veprimet e tyre politike dhe korruptive dhe se përpjekjet sipas Lushtakut të LVV-së janë më shumë elektorale për t’u paraqitur në publik ‘sikur po luftojnë korrupsionin’.
“Unë besoj se më shumë tani frikësohen nga vetë veprimet e tyre politike, veprimet e tyre korruptive, nga veprimet e tyre që gjatë kësaj qeverisje janë ataku dhe kanë dal shumë skandale, kemi pa që ka edhe ngritje të aktakuzave në këtë drejtim. Por Byroja si Byro fillimisht është trumbetu se do të ketë një mision shumë më të madh edhe pse anti-kushtetues, anti-ligjor por ishte për qëllimet e përfitimit të votave sepse e kanë krijuar narrativën e atillë që ka korrupsion të madh dhe janë të korruptuara partitë e vjetra. Dhe sigurisht që me verifikimin edhe me diskutimet publike edhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është dëshmu që ka shkelje të mëdha të Kushtetutës dhe parimeve evropiane për të drejtat, liritë edhe dinjitetin e njeriut. Sigurisht në këtë kontest është paraqitur edhe në seancë edhe pse titulli ende është bombastik-elektoral se sa që është e vërtetë në bazë të saj që kanë deklaru. Sigurisht ka ende përpjekje, më shumë elektorale, që me paraqit se ‘ne po luftojmë korrupsionin’ ndërsa në mesin e tyre ka të korruptuar jashtëzakonisht shumë. Ne jemi për një ligj i cili me të vërtetë e ndihmon drejtësinë sepse nëse nuk ka shtet të së drejtës me të vërtetë edhe njerëzit më shumë emigrojnë nga vendi. Këto pesë vitet e fundit mbi 200-300 mijë qytetarë kanë emigruar jashtë vendit gjatë qeverisjes së Kurtit në pushtet” deklaroi Lushtaku.
