Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se në vend të një zgjidhjeje për çështjen e presidentit, VV po prodhon një krizë të re politike.
Ajo tha se qytetarët po lihen të vetëm, ndërsa kryeministri synon të qeverisë i pambikëqyrur.
Sipas saj, ka tendencë për kapje të institucioneve, duke përmendur edhe zgjedhjen e Bordit të AKA-së me procedura të shkelura dhe kandidatë të paverifikuar.
“VV po na jep një krizë të re politike, ku qytetarët do të lihen të vetëm e ai do të qeveris i pambikëqyrur që është tipike për një sistem autoritar ku një kryeministër dëshiron të prodhoj më shumë kriza për të qeverisur i pambikëqyrur. Vërtetë kjo është për keqardhje. Por, në anën tjetër tendenca për t’i kapur të gjitha institucionet, duke përfshirë Bordet, shikojeni AKA, ne sot jemi dëshmitarë të kalimit të Bordit të kësaj Agjencie me shpejtësi të dritës, me kandidat të paverifikuar dhe procedura të shkelura brenda institucioneve që i kanë zgjedhur ato. Ne do të jemi dëshmitarë që para syve tonë të shohim një kapje totale të institucioneve që në kushte normale dhe në bazë të kushtetutës sonë do duhej të ishin të pavarura, por partia më i madhe i ka numrat dhe po ia mundëson vetes që t’i kap këto institucione”, ka thënë Lushaku.
