Ramiz Lladrovci ka reaguar pasi Prokurori i Specializuar, ka përmendur emrin e heroit Fehmi Lladrovci në kontekstin e hierarkisë dhe urdhrave gjatë luftës çlirimtare.
Reagimi i Lladrovcit:
Hedhim poshtë çfarëdo përfshirje të emrit të heroit Fehmi Lladrovci në Gjykatën e Hagës
Feha, Xheva dhe bashkëluftëtarët e tyre, ishin dhe mbesin çlirimtarë, heronj të Kosovës!
Gjatë fjalës përfundimtare të Prokurorit të Specializuar në Hagë, kundër heronjve tanë të luftës dhe paqes, është lakuar emri i Heroit Fehmi Lladrovci. Emri është vënë në kontekst se kinse në atë kohë kishte hierarki ushtarake dhe jepte “urdhra”. Këto pretendime fuqishëm i hedhim poshtë.
Në dokumentin konfidencial, Raport zyrtar (UNMIK/OKB), në raportin e oficerit (emër i njohur për neve), thuhet se “në banesën e H.Ç., më 08.05.2001, ndër sendet e sekuestruara janë gjetur dokumente që implikojnë një urdhër nga oficeri i UÇK-së Fehmi Lladrovci, i dhënë një ushtari të ri, K.K., më 10.04.1998, për të kryer ekzekutimin e H.Sh.”.
Ky është përfundim i pavërtetë i oficerit të UNMIK-ut dhe bie në kundërshtim të plotë me burimin gjoja të informacionit, kinse të gjetur në dokumentin e marrë gjatë bastisjes.
Në këtë deklaratë të K.K. kinse thuhet: “…isha në një gjendje ku do të bëja çfarëdo, vetëm për t’u bërë ushtare. Personat që kishin njohuri për këtë veprim ishin Mus Jashari, Fehmi Lladrovci, Jahir Demaku, etj.”
Hedhim poshtë konstatimin se Fehmi Lladrovci ka qenë në “dijeni”, për kohën e dhënë, sepse në këtë kohë, ai gjendej në Rahovec.
Për më tepër, nuk ka qenë metodë e njohur e as parim i UÇK-së për të verifikuar “ushtarin e ri” me ndonjë aksion. Për tu bërë anëtar i UÇK-së, ka mjaftuar vullneti dhe gatishmëria për tu rreshtuar në njësitë e UÇK-së. UÇK ishte plotësisht vullnetare.
