Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Ai vlerësoi profesionalizmin e gjykatës dhe rolin e saj në avancimin e praktikave juridike, por shprehu shqetësim për mungesën e sqarimit rreth pasojave në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit të caktuar.
“Ende nuk e kemi aktgjykimin në tërësi që ta lexojmë. Njoftimi që ka lëshuar tregon profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese dhe njerëzve që janë aty,” tha Limaj në një intervistë për Debat Plus në Dukagjini.
Sipas tij, ky vendim është një pasurim i mëtejshëm për sistemin juridik dhe institucional të Kosovës, veçanërisht për çështjet që lidhen me funksionimin e Kuvendit dhe procesin e zgjedhjes së kryetarit të tij.
“Gjykata me këtë aktgjykim, për neve që merremi me politikë dhe drejtësi, e pasuron praktikën tonë juridike dhe institucionale, dhe tregon se çka do të thotë pa afat”, tha Limaj.
Ai theksoi se, që nga aktgjykimi i 26 qershorit, afatet kushtetuese nuk janë respektuar për shkak të veprimeve të jashtëligjshme të deputetëve dhe komisioneve parlamentare.
“Dhe për sa kohë deputetët s’kanë pas mundësi votimi, praktikisht s’ka mund me ushtru detyrën. Veprimet kanë qenë të jashtëligjshme. Në dy ditët e fundit (para përfundimit të afatit) e dhash atë qëndrim duke parë situatën, isha e bindur se afatet s’ishin përdorur, dhe mendova që Gjykata do të marrë këtë vendim sepse s’ka rrugë tjetër. Një muaj ditë kemi qenë në situatë joligjore, prandaj edhe s’ka ec afati kushtetues”, ka thënë Limaj.
Çfarë ndodh tani pas udhëzimeve të Kushtetueses për krijimin e Kuvendit? Lexo po ashtu Çfarë ndodh tani pas udhëzimeve të Kushtetueses për krijimin e Kuvendit? Limaj theksoi se Gjykata nuk ka të drejtë të vendosë sanksione, por e kritikoi mënyrën se si është zhvilluar procesi në Kuvend, veçanërisht devijimin nga rendi i ditës dhe rregullorja nga ana e kryesuesit të seancës, Avni Dehari.
“Kryesuesi ka bërë devijim nga rendi i ditës, ka devijuar rregulloren e Kuvendit. Nuk mund të ketë sanksionim, Gjykata Kushtetuese nuk jep sanksione”, u shpreh Limaj.
