Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet në proceset gjyqësore në Hagë, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po administrohet drejtësia në emër të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Limaj ka vlerësuar se çdo proces gjyqësor duhet të garantojë paanshmëri, integritet, barazi të palëve dhe respektim të standardeve të një gjykimi të drejtë.
“Edhe një padrejtësi, edhe një arsye më shumë për të ngritur seriozisht çështjen e drejtësisë që po administrohet në emër të Kosovës”, ka shkruar Limaj.
Ai ka theksuar se drejtësia nuk nënkupton vetëm shpalljen e një aktgjykimi, por edhe garantimin e të drejtës së mbrojtjes dhe shqyrtimin e paanshëm të provave.




