Shoqata e Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës (KSAI) ka publikuar udhëzime për njohjen dhe trajtimin urgjent të anafilaksisë në ambulanca, duke tërhequr vëmendjen për rrezikun që paraqet ky reaksion i rëndë alergjik.
Sipas KSAI-së, anafilaksia është një reaksion sistemik që mund të përparojë brenda pak minutash dhe të shfaqet në qendrat e mjekësisë familjare, ordinancat specialistike dhe ato stomatologjike.
Ajo mund të ndodhë pas administrimit të një bari, gjatë një infuzioni, pas vaksinimit apo pas ekspozimit ndaj një alergjeni tjetër.
Shoqata thekson se dyshimi për anafilaksi duhet të ngrihet kur, pas një ekspozimi të mundshëm, shfaqen papritur ënjtje e gjuhës ose fytit, ngjirje e zërit, vështirësi në frymëmarrje, ulje e saturimit të oksigjenit, rënie e tensionit të gjakut, konfuzion apo humbje e vetëdijes.
KSAI paralajmëron se reaksioni mund të ndodhë edhe pa shenja në lëkurë, si urtikaria, kruarja apo skuqja.
Sa i përket trajtimit, udhëzimi kryesor është administrimi i menjëhershëm i adrenalinës në mënyrë intramuskulare, në pjesën anterolaterale të kofshës. Për të rriturit, doza fillestare e rekomanduar është 500 mikrogramë, ndërsa te fëmijët doza përcaktohet sipas protokollit pediatrik.
Nëse problemet me frymëmarrjen ose qarkullimin e gjakut vazhdojnë, adrenalina duhet të përsëritet pas pesë minutash.
Paralelisht me trajtimin, stafi duhet të telefonojë numrin emergjent 112 dhe të kërkojë transport urgjent në spital. Gjithashtu, duhet të ndërpritet administrimi i barit ose infuzionit të dyshuar, nëse është ende duke u dhënë.
Pacienti duhet të mbahet në pozicion të përshtatshëm dhe të monitorohet vazhdimisht. Sipas udhëzimit, nuk duhet të lejohet të ngrihet në këmbë apo të ecë, ndërsa duhet t’i jepet oksigjen dhe, në rast të hipotensionit ose shokut, të administrohen lëngje intravenoze.
Shoqata thekson se antihistaminikët dhe kortikosteroidet nuk duhet ta vonojnë dhënien e adrenalinës, pasi nuk kanë efekt të menjëhershëm në trajtimin e anafilaksisë.
Në fund, KSAI nënvizon se çdo ambulancë ku administrohen barna ose vaksina duhet të ketë adrenalinë në dispozicion dhe staf të trajnuar për njohjen dhe trajtimin e këtij reaksioni.