Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar me shqetësim lidhur me atë që e cilëson si “sulm të organizuar kibernetik” dhe “fushatë të koordinuar të manipulimit digjital” ndaj komunikimit publik të kryetarit të partisë dhe thirrjes së tij për Tubimin e Bashkimit.
LDK-ja thotë se brenda pak minutash mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në rrjetet sociale, me qëllim – siç thuhet – deformimin e perceptimit publik dhe krijimin e një atmosfere të rreme refuzimi e polarizimi.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për sulmin e organizuar kibernetik dhe fushatën e koordinuar të manipulimit digjital ndaj komunikimit publik të Kryetarit të LDK-së dhe thirrjes së tij për Tubimin e Bashkimit. Brenda pak minutash, mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në platformat sociale, në një përpjekje të qartë për të deformuar perceptimin publik, për të ulur artificialisht besueshmërinë e komunikimit politik dhe për të krijuar atmosferë të rreme refuzimi e polarizimi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo parti.
LDK u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që “të jenë të vetëdijshëm se kjo pritet të jetë një nga strategjitë kryesore të fushatës së ardhshme zgjedhore: rrënimi i kredibilitetit përmes manipulimit digjital, propagandës së organizuar dhe ndërhyrjeve hibride në opinionin publik”.
