Një delegacion i lartë i Partisë së Gjelbër Evropiane (EGP), i cili ndodhej në Serbi me ftesë të Frontit të Majtë të Gjelbër, u largua nga Serbia këtë mëngjes pas fyerjeve dhe kërcënimeve të hapura që erdhën nga maja e shtetit. Delegacioni përfshinte Rasmus Nordqvist nga Danimarka dhe Vula Tsetsi nga Greqia.
“Jemi mirënjohës ndaj Partisë së Gjelbër Evropiane, bashkëpresidentes Vula Tsetsa dhe eurodeputetit Rasmus Nordqvist, të cilët qëndruan dje me qytetarët në Novi Sad dhe ndanë fatin e të gjithëve ne që kemi qenë nën sulm nga regjimi për muaj të tërë. Partia e Gjelbër Evropiane tregoi solidaritet me qytetarët e Serbisë dhe dërgoi një mesazh të qartë se Evropa nuk duhet të heshtë ndërsa ushtrohet represion kundër qytetarëve në Serbi dhe shoqëria demokratike po shkatërrohet”, tha Fronti i Gjelbër-i Majtë, raporton mediumi kroat index.hr .
“Presidenti i Serbisë sulmoi të Gjelbrit Evropianë në një mënyrë shumë agresive, me gënjeshtra dhe fyerje. Deklaratat e tij janë të papranueshme dhe kërkojnë një përgjigje të fortë. Ai fyeu një parti politike evropiane, na kërcënoi dhe na frikësoi në nivel personal, dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme – ai gënjeu hapur”, tha Vula Tsetsi, bashkëpresidente e Partisë së Gjelbër Evropiane.
EGP do t’i drejtohet Komisionit Evropian, duke kërkuar një ndryshim në qëndrimin e BE-së ndaj regjimit autokratik në Serbi. Gjithashtu, javën e ardhshme në Parlamentin Evropian do të mbahet një debat plenar mbi Serbinë, në të cilin janë ftuar përfaqësues të Frontit të Gjelbër-të Majtë dhe partive të tjera opozitare nga Serbia.
Vuçiq: Ka mbërritur llumi më i madh
Kujtojmë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç dje ofendoi anëtarët e Parlamentit Evropian që erdhën në protestën në Novi Sad dhe mbështetën studentët. Në një konferencë për shtyp, ai tha se Serbia është një shtet i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm.
“Llumi më i keq evropian që erdhi në Novi Sad sonte për të mbështetur këtë dhunë. Vetëm duhet t’u them atyre se procesi do të rregullohet në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë. Dhe asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiq.
