Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të shtunën se do të jepë dorëheqjen brenda disa javësh dhe se vendi do të mbajë zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, pas 18 muajsh protestash antiqeveritare.
Njoftimi nga Vuçiq, i cili ka qenë në pushtet si president ose kryeministër për 12 vjet, erdhi mes demonstratave të vazhdueshme kundër korrupsionit të udhëhequra nga studentët dhe të shkaktuara nga shembja e një tendë në një stacion hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit në nëntor 2024, ku vdiqën 16 persona.
Protestuesit, opozita dhe grupet e të drejtave të njeriut pretendojnë se katastrofa në stacionin hekurudhor ishte një shenjë e keqmenaxhimit më të gjerë qeveritar të projekteve të ndërtimit dhe korrupsionit.
“Do të jem president vetëm për disa javë të tjera dhe pastaj do të jap dorëheqjen”, u tha Vuçiç turmave të mbështetësve të tij në një tubim pro-qeveritar në kryeqytet, Beograd. Mandati i dytë dhe i fundit i Vuçiçit do të skadonte në mesin e vitit 2027.
Vuçiç tha se do ta ndihmonte Partinë e tij Progresive Serbe (SNS) të fitonte zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat fillimisht ishin caktuar për vitin 2027.
“Propozimi im është që lista jonë, lista fituese në zgjedhjet e ardhshme, të quhet ‘Serbia e Bashkuar’.”
Reuters: Ky nuk është fundi i Vuçiqit
Vuçiq nuk ka gjasa të largohet nga skena politike pasi dorëheqja e tij mund t’i hapë rrugën atij për t’u bërë kryeministër nëse partia e tij triumfon në zgjedhjet parlamentare. Kjo do të vazhdonte një trend të gjatë në të cilin pushteti në Serbi ndjek Vuçiqin, pavarësisht nga titulli i tij.
Analistët thanë se Vuçiç do të përpiqet të vendosë një aleat si pasues të tij në presidencë, në mënyrë që ai të vazhdojë të mbajë levat e pushtetit.
“Ky nuk është aspak fundi i Vuçiqit,” tha Radivoje Grujic, një analist me bazë në Varshavë. “Ai tashmë ka një plan, që definitivisht nuk do të thotë se do të shkojë në pension politik – krejt e kundërta”.
Megjithatë, koha e njoftimit të së shtunës sugjeron se protestat – vargu më i madh i tubimeve që nga përmbysja e Slobodan Millosheviçit në vitin 2000 – kanë luajtur një rol.
Aktivistët nga lëvizja e udhëhequr nga studentët dhe opozita kanë thënë se duan të sfidojnë Vuçiçin dhe SNS-në në zgjedhje.
Savo Manojloviç, kreu i lëvizjes studentore opozitare Lëviz-Ndrysho, tha: “Duke dhënë dorëheqjen dhe me zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, Vuçiç po përpiqet të parandalojë rënien e tij të pashmangshme, për shkak të protestave dhe për shkak të lëvizjes studentore, e cila ka më shumë mbështetje sesa ai.”
