Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjet për ratifikimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s, si dhe Protokollet Shtesë 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s, duke i cilësuar këto zhvillime si hapa të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas saj, marrëveshja me EFTA-n, e nënshkruar në janar të vitit 2025, përbën një instrument të rëndësishëm të politikës tregtare, që synon thellimin e integrimit ekonomik të Kosovës me tregjet evropiane me fuqi të lartë blerëse dhe standarde të avancuara. Ajo përfshin liberalizimin progresiv të tregtisë së mallrave përmes eliminimit të tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale, përmirësimin e qasjes në treg për produkte bujqësore, si dhe rregulla më të qarta për origjinën e mallrave, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe rritjen e sigurisë juridike për operatorët ekonomikë. Po ashtu, marrëveshja përfshin edhe tregtinë në shërbime, duke përfshirë sektorë si financat, teknologjia e informacionit, transporti dhe turizmi.
Ministrja theksoi se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje merr rëndësi të veçantë edhe për shkak të rritjes së vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare me vendet e EFTA-s, veçanërisht me Zvicrën dhe Norvegjinë, duke reflektuar forcimin e kapaciteteve eksportuese dhe rritjen e pranisë së produkteve kosovare në këto tregje. Ajo shtoi se përveç aspektit ekonomik, marrëveshja ka edhe rëndësi politike në raport me partnerët tregtarë dhe investitorët e huaj.
