Në prag të festës së Kurban Bajramit, institucionet e Kosovës kanë parandaluar disa raste të ndryshme të tentimit për futje ilegale (kontrabandës) të deleve në territorin e vendit. Kështu edhe sot, policia e Kosovës në fshatin Dumnicë ka parandaluar një rast të kontrabandimit prej 31 deleve nga Serbia. Ndonëse, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thotë se kafshët e kapura pa dokumentacion përcjellës apo dëshmi të origjinës janë nën procedura kontrolli dhe trajtimi sipas legjislacionit në fuqi.
Ani se është në përgjegjësi e Doganës së Kosovës menaxhimi i terminaleve doganore, ky institucion nuk ka dhënë detaje për KosovaPress lidhur me trajtimin e këtyre kafshëve të kontrabanduara, të cilat mbahen në këto terminale, sidomos në Merdarë. Gjithashtu nga Dogana nuk kanë dhënë detaje se ku përfundojnë këto kafshë të shëndosha pas trajtimit ose çfarë ndodhë me to.
Megjithatë, udhëheqësi i sektorit veterinar kufitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Eroll Shehu, thotë për KosovaPress se institucionet janë duke trajtuar rastet e fundit të tentimeve për futje ilegale të kafshëve në Kosovë.
Ai tregoi se pas njoftimit nga Policia apo Dogana, inspektorët e AUV-it dalin në terren për të kontrolluar gjendjen shëndetësore dhe dokumentacionin e kafshëve.
“Në momentin kur policia apo dogana neve na njofton se është një rast i dyshimtë, inspektorati i rëndësishëm i AUV-it aktivizohet dhe shkon konform domethënë në vendin e caktuar, për me bërë përcaktimin e statusit shëndetësor të kafshëve, përcakton nivelin e evidentimit të kafshëve – a janë të regjistruara në sistem, a i kanë matrikulat dhe aktivitete të tjera të cilat i përkasin sektorit veterinar, dhe konform gjetjeve raportohet autoritetit kompetent. Si veprohet, apo çka bëhet me ato ngarkesa. Fatmirësisht, vetëm për gjedhe ne e kemi një strehimore për këto kafshë domethënë, kafshët që dyshohen se janë kontrabandë ose keqpërdorim ose transport ilegal, po të gjitha janë jo konform legjislacionit. E kemi burgun e Dubravës dhe aty i çojmë kafshë, vetëm për gjedhe. Përpos kontrollit të gjendjes shëndetësore, përkushtimi i inspektorëve është edhe mirëqenia e kafshëve. Sa më shpejt ato me i shkarkua prej ngarkesave, janë temperaturat e larta në kamionë, domethënë sa më shpejt me i shkarkua dhe me i bë kontrolle të tjera, duke përfshirë edhe marrjen e mostrave, nxjerrjen e gjakut, dërgimin e mostrave në laborator, dhe konform asaj procedohet më tutje”, u shpreh Shehu.
