Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e ka goditur sërish Radio Televizionin e Kosovës, siç thotë ajo, me një material tjetër propagandistik të një niveli të ri.
Në një postim në Facebook, Kusari theksoi se transmetimi në Lajmet Qendrore të RTK-së i këngës së Adelina Ismajlit për veriun e vendit është bërë një ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas saj, krejt kjo u bë me qëllim që t’u tregohen qytetarëve punët e LVV-së.
“24 orë pas mënyrës skandaloze të raportimit për gjendjen buxhetore të RTK-së, VV godet me materialin tjetër propagandistik të një niveli të ri. VV-ja sonte, një natë para zgjedhjeve lokale në Mitrovicë, në buletinin propagandistik qendror në RTK, i ka dhënë hapësirë një kënge të Adelinës për veri. Kënga ka për qëllim t’i tregojë publikut, përmes pamjeve, të arriturat e VV-së në veri”.
“Fillimisht është paralajmëruar në lajme, hej, në lajmeeeee… kur është hera e fundit që një këngë është promovuar në lajme? Dhe pastaj është transmetuar kënga e plotë. Paramendoni, këngë me pamje propagandistike politike transmetohet në prime time”, ka thënë Kusari.
