Deputetja e Lëvizjes Vetëvensdosje Mimoza Kusari-Lila e pyetur se a ndjen si subjekt i parë në zgjedhjet e 9 shkurtit Vetëvendosje një pjesë të përgjegjësisë apo po mjaftohen me fajësimin e partive të tjera, tha se beson se u takon një pjesë e përgjegjësisë, ndoshta në pjesën e komunikimit.
Por vlerëson se edhe po të kishin bërë përpjekje të tjera për të dalë nga ky ngërç, bllokimi ose pozicionimi që ishte i partive të deritashme opozitare tregonte se nuk do të lëviznin ose nuk do të reflektonin në sjelljen e tyre.
“Po, është e vërtetë, është një periudhë kohore në të cilën organi më i lartë i vendit, legjislativi, Kuvendi i Republikës është jofunksional dhe në konstituimin e këtij kuvendi përgjegjësinë e ndajmë bashkërisht. Unë jam një nga 48 deputetët e grupit të tri partive, të cilat kanë marrë shumicën në Kuvendin e Republikës dhe jam e bindur se edhe po të kishim bërë përpjekje të tjera për të dalë nga ky ngërç, bllokimi ose pozicionimi që ishte i partive të deritashme opozitare tregonte se nuk do të lëviznin ose nuk do të reflektonin në sjelljen e tyre.
Tani a lidhet kjo vetëm me veprimet e tashme apo me veprimet e katë vjeçarit të mëparshëm, gjegjësisht që nga zgjedhjet e vitit 2021 është pyetje për ta, porse veprimin dhe formën e mënyrës se si ju kanë qasur zgjidhjeve të përbashkëta ka treguar se nuk e kanë treguar atë gatishmëri për bashkëpunim. Por na takon neve të jemi pjesë e përgjegjësisë, ndoshta në pjesën e komunikimit, por përtej asaj besoj që edhe të vinim me zgjidhje të tjera ose me alternativa të tjera, të cilat ishin evidente që ishin nga ana jonë ata dukej se ishin të gatshëm për të mos pranuar”, u shpreh Kusari- Lila.
Kusari – Lila gjithashtu shtoi se mendon se për shkak të mangësive apo mosspecifikave prezente në vetë Kushtetutën e Kosovës, gjykata sa i përket vendimit që pritet të marrë më 8 gusht nuk ka hapësirë të madhe të veprimit. E pranon se kanë dëmtuar shumë kredibilitetin e kësaj legjislature dhe se mendon që zgjidhja do të ishte shkuarja në një palë zgjedhje të jashtëzakonshme, ku qytetarët e Republikës të japin vlerësimin e tyre për këto rrethana.
