Partneriteti i Kosovës me Britaninë e Madhe është kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë, është thënë në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti me sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për temat kryesore të Samitit të Procesit të Berlinit, që do të mbahet gjatë ditës në Londër: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme,” tha kryeministri.
Në fushën e mbrojtjes, Kurti theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.
Në komunikatë thuhet se Kurti ka deklaruar që Kosova është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon, duke marrë për bazë të dhënat e Gallup dhe Transparency International.
