Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një diskutimi në kuadër të Forumit të Paqes në Paris është pyetur edhe për drejtësinë ndërkombëtare dhe Gjykatën Speciale.
Kurti ka thënë se në momentin që s’je i kënaqur me vendimin, duhet të bësh gjithë punën që duhet për ta apeluar vendimin.
Një nga të pranishmit në panel e pyeti Kurtin se si mund të ndihmojë një qeveri kombëtare në lehtësimin e procedurave të drejtësisë penale ndërkombëtare, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në Hagë dhe perceptimin e qytetarëve në Kosovë.
“Pyetja ime është: siç e theksoi me të drejtë edhe Kryeministri, ligji duhet të jetë mbi politikën. Prandaj, do të doja të dija se si mund të ndihmojë edhe një qeveri kombëtare në lehtësimin e procedurave të drejtësisë penale ndërkombëtare, veçanërisht duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Hagë dhe perceptimin e publikut në Kosovë, por edhe në përgjithësi? Ju faleminderit shumë!”




