Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë shtetërore në Serbi për varrimin e ish-gjeneralit serb Ratko Mlladiq, i dënuar për krime lufte dhe përgjegjësinë e tij në gjenocidin e Srebrenicës.
Në një postim, Kurti ka kritikuar institucionet serbe për nderimet që, sipas tij, iu bënë Mlladiqit, duke përmendur përdorimin e aeroplanit qeveritar, flamurit shtetëror, pjesëmarrjen e ushtrisë, ministrave, klerikëve dhe orkestrës.
“Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës ku u vranë 8.372 boshnjakë, kryesisht burra e djem, në korrik të vitit 1995”, ka shkruar ai në Facebook.
“Gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dëshmuar nga varrezat masive, identifikimet forenzike të mijëra viktimave, dëshmitë e të mbijetuarve dhe dokumentimi i hollësishëm i operacionit të vrasjes dhe fshehjes së trupave, jo interpretim historik apo akuzë politike. Burrat dhe djemtë boshnjakë u ndanë nga familjet, u ekzekutuan sistematikisht dhe u hodhën në varreza masive; pastaj shumë prej trupave të tyre u zhvarrosën e u shpërndanë në varreza dytësore e tretësore për t’i fshehur gjurmët e krimit. Ratko Mlladiq ishte komandanti i kësaj makinerie, jo dëshmitari i saj”.




