Kryeministri Albin Kurti, duke folur në Kuvendin e Kosovës për situatën me energjinë elektrike dhe planifikimet për vitet e dekadat e ardhshme, ka thënë se gjatë pesë vjetëve e gjysmë të fundit kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar edhe në politikat energjetike.
Kurti është pajtuar me deputetin Besnik Tahiri se situata aktuale dallon dukshëm nga ajo e vitit 2021, duke përmendur ndryshimet gjeopolitike, gjeostrategjike dhe në zinxhirët e prodhimit e furnizimit.
“Do të kemi diskutime të reja, vendime të reja, sa i përket situatës me energjinë elektrike dhe vizionit dhe planifikimeve në vitet dhe dekadat në vijim, por ajo që është e rëndësishme të theksohet tani është që midis programit tonë qeveritar nga pranvera e vitit 2021 dhe programit qeveritar që do të vijë në vjeshtën e vitit 2027, janë pesë vjet e gjysmë me shumë zhvillime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pajtohem me Besnik Tahirin që ka ndryshime substanciale sa i përket gjeopolitikës, gjeostrategjisë, pastaj zinxhirëve të prodhimit dhe furnizimit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur edhe ndryshimet në politikat ndërkombëtare të energjisë, luftën në Ukrainë pas agresionit rus dhe luftën në Lindjen e Mesme, duke theksuar se këto zhvillime kanë shkaktuar tronditje në skenën ndërkombëtare dhe kanë pasur pasoja edhe në furnizimin me energji.
“Në këto pesë vjet e gjysmë, ajo çfarë kishim është zbehja e valës së gjelbër dhe në kuptimin ideologjik për gjenerimin dhe furnizimin me energji elektrike, pastaj jo vetëm që shpërtheu lufta në Ukrainë si pasojë e agresionit rus, por edhe kjo luftë nuk përfundoi. Lufta s'përfundoi, por nisi edhe një tjetër në Lindjen e Mesme, dhe kjo ka shkaktuar tronditje të madhe në skenën ndërkombëtare, por edhe me pasoja për furnizimin te ne”, ka thënë Kurti.
Duke folur për vizionin energjetik të Qeverisë, Kurti ka thënë se mbeten të përkushtuar ndaj burimeve të ripërtëritshme, por se në zgjedhjet e fundit kanë marrë edhe zotimin për shqyrtimin serioz të mundësisë së gazifikimit të linjitit dhe shfrytëzimit të gazit të lëngshëm përmes terminalit të Vlorës.
“Për vizionin tonë përpara, jo vetëm që kemi theksuar burime të ripërtëritshme e që i qëndrojmë asaj, por njëkohësisht në zgjedhjet e fundit kemi fituar edhe me zotimin tonë për shqyrtimin serioz sa më parë të mundësisë për gazifikimin e linjitit, dhe jo vetëm kaq, por edhe për shfrytëzimin e gazit të lëngshëm që vjen në terminalin e Vlorës, prej nga ne mund ta marrim rrymën me interkoneksionin prej 400 kilovolt.




