Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar Qeverinë gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2027.
Lushtaku ka thënë se, ndonëse Qeveria po e paraqet rritjen e buxhetit të shtetit si sukses ekonomik, mirëqenia e qytetarëve nuk është përmirësuar. Ai ka kërkuar nga ekzekutivi të japë llogari për premtimet që, sipas tij, nuk janë realizuar.
“Sot kemi përpara projektbuxhetin në vlerë prej 4 miliardë eurosh. Qeveria e paraqet këtë shumë si dëshmi të suksesit ekonomik, por pyetja është: a do të rritet edhe mirëqenia e qytetarëve aq sa po rritet buxheti i shtetit?
Qytetarët nuk jetojnë me miliona në letër. Ata jetojnë me pensione e paga të ulëta dhe me shpenzime të larta. Kanë kaluar shtatë vjet nga zgjedhjet e tetorit 2019, kur e morët besimin e qytetarëve. Keni pasur mundësi të mjaftueshme për të sjellë ndryshime. Sot nuk është koha për të kërkuar besim, por për të dhënë përgjegjësi për gjërat që nuk i keni bërë.
Ku janë çerdhet që i premtuat? Ku janë 4 mijë banesat për familjet e reja? Ku janë hekurudhat dhe rrugët? Mbi të gjitha, ku është zhvillimi ekonomik që do t'i mbajë qytetarët këtu?”, ka deklaruar Lushtaku.
Deputeti i PDK-së ka pretenduar se gjatë qeverisjes së Albin Kurtit ka pasur rreth një miliard euro më pak investime kapitale, duke thënë se kjo ka ndikuar në mungesën e investimeve në shkolla, rrugë dhe infrastrukturë tjetër të rëndësishme.
“Qeveria po premton investime kapitale prej 1 miliard eurosh, por, sipas Institutit GAP, kemi 1 miliard euro më pak investime gjatë qeverisjes suaj. Këto janë humbje në rrugë, në shkolla dhe në çerdhe.


