Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar sot në shtëpinë-muze të profesor Ukshin Hoti në Krushë të Madhe, në 27-vjetorin e zhdukjes së tij nga forcat serbe, duke e cilësuar atë si një nga mendjet më të ndritura të popullit shqiptar.
Kurti tha se teoritë politike të Ukshin Hotit kanë vlerë universale dhe do të vazhdojnë të studiohen edhe nga popuj të tjerë.
“Janë teori që i japin rol vendimtar vullnetit të popullit, tregojnë se republika demokratike është sistemi më i mirë politik dhe inkurajojnë emancipimin e çlirimin e popujve”, deklaroi Kurti.
Ai kujtoi se më 16 maj 1999, profesori Hoti u zhduk nga forcat serbe, ndërsa fati i tij vazhdon të mbetet i pazbardhur.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi dhe zbardhjen e fatit të tij dhe të gjithë të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, theksoi Kurti.
Sipas tij, aktualisht po mblidhet material për profesor Hotin nga Beogradi, Zagrebi e deri në Harvard, ku ai kishte studiuar dhe punuar.
Kurti tha se fotografitë dhe materialet e ekspozuara në shtëpinë-muze zgjojnë ndjenja të përziera.
“Në njërën anë, përplot pikëllim, sepse sa mirë ta kishim të gjallë e aktiv e aktual. Por, në anën tjetër, edhe krenarë sepse lum që e patëm dhe padyshim që na ndriçon rrugën përpara, por si rilindësit e tjerë të kombi tonë. Lavdi profesor Ukshin Hotit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar”, u shpreh ai.
Ndërkaq, djali i Ukshin Hotit, Andini, njëherësj ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, falënderoi të pranishmit për nderimin e figurës së babait të tij.
Ai tha se 16 maji mbetet ditë dhimbjeje, mllefi dhe krenarie për familjen Hoti.
“Dhimbje, sepse ne për 27 vite vazhdojmë ta kërkojmë fatin e babait tonë, familjarit tonë. Mllef, sepse Serbia vazhdon t’i mbajë të fshehura informacionet për vendndodhjen e tij prej kur e ka marrë. Sepse babi nuk është zhdukur, po Serbia e ka marrë prej institucionit të sigurisë së lartë dhe vazhdon t’i mbajë në sirtarët e saj arkivat e klasifikuara mbi fatin e Ukshin Hotit dhe 1565 personave të tjerë. Por edhe ndjejmë krenari, sepse Ukshin Hotin, Serbia fizikisht ka mundur ta zhduk, por ai e ka përjetësuar veten. Sepse veprat e Ukshin Hotit, siç e tha edhe kryeministri, mbesin në themelin e Republikës tonë, mbesin në çdo pëllëmbë të kësaj toke”, tha Hoti.
Tutje ai tha se Ukshin Hoti është i përjetshëm, jo vetëm për ata si familje, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
“Neve na mbetet që të përkujtojmë, na mbetet që të mos harrojmë rrugën që e ka shtruar Ukshin Hoti dhe miqtë e tij që kanë bashkëvepruar. Na mbetet edhe ta forcojmë Republikën me amanetin e tyre”, nënvizoi Andin Hoti.