Plot 521 mjekë janë të papunë, ka deklaruar Oda e Mjekëve të Kosovës, sipas të dhënave që këta të fundit posedojnë.
Kështu ka deklaruar OMK , në pyetjet e parashtruara lidhur me komentet e pak ditëve më parë, të kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili tha se vetëm gjatë vitit të kaluar, 171 mjekë janë kthyer në Kosovë.
OMK, e pyetur se sa mjekë janë kthyer në Kosovë gjatë vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti, ka thënë se, sipas të dhënave gjatë periudhës 2018–2026, rreth 40 mjekë janë pajisur me Certifikatën e së Kaluarës Etike dhe Profesionale, duke deklaruar se ushtrojnë veprimtarinë e tyre profesionale jashtë Kosovës, ndërsa pas disa vitesh janë kthyer në vend.
Porse, shton OMK, duhet theksuar se, shumica e të lartpërmendurve ‘’janë të punësuar në sektorin privat’’.
‘’Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, gjatë periudhës 2018–2026, rreth 40 mjekë janë pajisur me Certifikatën e së Kaluarës Etike dhe Profesionale, duke deklaruar se ushtrojnë veprimtarinë e tyre profesionale jashtë Kosovës, ndërsa pas disa vitesh janë kthyer në vend, janë ri-anëtarësuar dhe rilicencuar në Odën e Mjekëve të Kosovës. Këta mjekë janë të identifikuar në regjistrat e Odës me emër dhe mbiemër. Vlen të theksohet se shumica prej tyre aktualisht janë të punësuar në sektorin privat.
Sa i përket pjesës tjetër të mjekëve që, sipas deklarimeve, janë kthyer në Kosovë, për informata dhe sqarime më të hollësishme ju rekomandojmë t’i drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë, pasi mund të bëhet fjalë edhe për mjekë me shtetësi të huaj, të cilët licencohen nga Ministria e Shëndetësisë’’, thuhet nga Oda e Mjekëve për Gazetën Express.
Të pyetur se sa mjekë janë larguar nga Kosova për të ushtruar profesionin jashtë vendit, si indikator për përcjelljen e trendit të largimit të mjekëve nga vendi, përdoret numri i Certifikatave të së Kaluarës Etike dhe Profesionale të lëshuara, numër i cili është 1181 gjatë periudhës 2018-2026


