Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka, sipas tij, tri probleme kryesore, të cilat duhet të trajtohen në procedurën e Apelit.
Kurti tha se nuk ka pritur drejtësi nga kjo gjykatë, duke rikujtuar se qëndrimi i tij ndaj Dhomave të Specializuara nuk ka ndryshuar.
“Te ky aktgjykimi i Dhomave të Specializuara, nga i cili nuk mund të them se kam pritur drejtësi, sepse asnjëherë nuk e kam ndryshuar qëndrimin tim për këtë Gjykatë, janë tri defekte kapitale”, tha Kurti.
Sipas tij, problemi i parë është cilësimi i rastit përmes konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
“I pari është cilësimi ndërmarrje e përbashkët kriminale. Nuk ka pasur ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe kjo duhet doemos të korrigjohet në Apel”, deklaroi ai.
Si problem të dytë, Kurti përmendi atë që e cilësoi si mungesë të transparencës dhe karakter “monoetnik” të Gjykatës.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe rastin e masakrës së Dubravës, për të cilën tha se zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, kishte bërë kallëzim penal në Dhomat e Specializuara.
Sipas Kurtit, kallëzimi ishte bërë në prill të vitit 2023, por deri tani nuk ka marrë përgjigje nga Dhomat e Specializuara.
“Ky është karakteri monoetnik, bashkë me mungesën e transparencës, janë defekti i dytë kapital”, tha Kurti.
Si problem të tretë, kryeministri përmendi ato që i cilësoi si pasaktësi faktike dhe historike të dëgjuara gjatë shpalljes së aktgjykimit.




