Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar se cilët përfitojnë nga paga e 13-të, pas miratimit të vendimit për zbatimin e saj.
Në mbledhjen e qeverisë, ai fillimisht ritheksoi se rroga e 13-të u takon punonjësve të sektorit publik që marrin pagë nga Buxheti i Kosovës.
Ai bëri të ditur se të gjithë ata persona që tashmë kanë 12 muaj të plotë në sektorin publik, marrin pagën e 13-të plotë, ndërsa atyre që nuk i kanë përmbushur, do t’u jepet pjesa e pjesshme, pra për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar, u takon edhe një pjesë e pagës së 13-të.
“Të gjithë ata persona që tashmë kanë 12 muaj të plotë në sektorin publik, marrin pagën e 13-të të plotë, e cila është e barabartë me vlerën e koeficientit të shumëzuar me njësinë e koeficientit që ka pozita përkatëse për personin që është në listën e pagave në muajin mars. Kemi hasur edhe në raste kur ka situata që nuk i kanë përmbushur 12 muaj. Për të qenë të drejtë dhe korrektë, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona të jepet pjesa e pjesshme, pra për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar, u takon edhe një pjesë e pagës së 13-të”.
“Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar, jo të plotë. Edhe në këto raste merret mesatarja e peshuar e pagës së marrë në 12 muajt e fundit, e cila pjesëtohet me 12 dhe kështu rezulton paga e 13-të e pjesshme”, deklaroi Murati, njofton Klankosova.tv.
