Gjykata e Posaçme në Shqipëri refuzoi kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta, i cili përmes avokatit kërkoi ndryshim të masës së sigurisë.
Sipas Top Channel, mbrojtja ligjore e Metës bëri kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, duke ofruar dhe garanci pasurore.
Gjatë seancës, avokati i ish-presidentit, Kujtim Cakrani ka pasur debate në distancë me prokurorin e çështjes Sotir Kllapi, ndërsa deputetët Klevis Balliu dhe Tedi Blushi kanë kërkuar pjesëmarrjen e qytetarëve që ishin jashtë dyerve të gjykatës në procesin gjyqësor.
Gjyqtari: Çdo shtetas i kësaj republike ka të drejtë të vijë ta ndjekë gjykimin. Por e kemi vendosur që kamerat do të qëndrojnë fare pak.
Avokati: Kam bërë kërkesë që doja ta bëja në prani të kamerave. Në nenin 339 dhe në Konventën Europiane, dhe duke nisur nga koha e diktaturës, proceset e rëndësisë së veçantë, duke nisur nga grupet armiqësore të Enver Hoxhës, janë bërë edhe me altoparlantë.
Gjyqtari: Kjo është një seancë publike.
Avokati: Jo, ju s’po bëni gjykim publik. Edhe salla është e vogël, mbase do të vijë gjithë partia, s’ka vend; ka vend vetëm për 30 veta.
Gjyqtari: Pra ka të tjerë që kanë ardhur e nuk hyjnë dot?
Monika Kryemadhi: Po, po, ja për shembull Miranda Rira, pedagoge. S’është vetëm Miranda, janë 200 veta.
Avokati i Metës: Ja dinjiteti njerëzor, presidenti në kafaz me xhama. Ku e keni dinjitetin me këto sallat e reja? Ja ku janë tenderat. Presidenti në kafaz, me kë talleni ju? S’jemi budallenj.
Klevis Balliu nga salla: Ka njerëz jashtë, 200 veta.
Tedi Blushi: Ka njerëz jashtë që duan të ndjekin gjyqin dhe s’po i lënë.
Gjyqtari: Ky nuk është miting.
Avokati Kujtim Cakrani: Të lejohet transmetimi direkt. Çdo vendim kufizimi të jetë i motivuar, i parashikuar nga konventat e të drejtave të njeriut. Çdo kërkesë që bëjmë e kërkojmë të arsyetuar, bashkë me atë që bëmë seancën e kaluar për kafazin.
Monika Kryemadhi: Jam dakord me kërkesat e avokatit Cakrani. Sallat janë tipike amerikane, por ka një ndryshim: edhe vrasësit serialë atje ulen me avokatin përkrah.
Avokati Kujtim Cakrani: Të lejohet transmetimi direkt. Çdo vendim kufizimi të jetë i motivuar, i parashikuar nga konventat e të drejtave të njeriut. Çdo kërkesë që bëjmë e kërkojmë të arsyetuar, bashkë me atë që bëmë seancën e kaluar për kafazin.
Kryemadhi: Kam marrë prova dhe më është dhënë një USB nga akuza, por nuk hapet. Kërkoj të merren masa të më vendoset siç duhet. Nuk më janë vënë në dispozicion aktet për çdo përgjim të familjarëve.
SPAK: USB-ja është marrë në gjykatë? Do ta zgjidhim, do ta japim.
Monika: Dua edhe përgjimet.
SPAK: Keni çdo gjë në dosje.
Monika: Jo, nuk i keni futur përgjimet.
