Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Gashi ka theksuar se vendimi i sotëm është i shkallës së parë dhe se, sipas tij, beteja për drejtësi vazhdon.
Ai ka bërë thirrje për qetësi, duke vlerësuar se katër ish-krerët e UÇK-së mbeten pjesë e një kapitulli të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
“Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë, ndërsa beteja për drejtësi vazhdon”, ka shkruar Gashi.
Ai ka deklaruar se Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi “i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës”, duke shtuar se asnjë vendim gjykate, sipas tij, nuk mund ta mohojë këtë.
“Për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës. Lufta e UÇK-së, sakrifica dhe vetëmohimi i atyre që e udhëhoqën dhe ishin pjesë e saj janë vetë rruga që çoi në lirinë e Kosovës dhe në një epokë të re paqeje e stabiliteti në rajon”, ka shkruar Gashi.