Kur ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul të dielën (16.11.2025) zbret në Sarajevë për fillimin e vizitës së tij katërditore në rajon, ai hyn në një ekuilibër të brishtë. Rajonin e njeh mirë – për vite me radhë ai ka drejtuar Grupin e Ballkanit Perëndimor të CDU/CSU në Bundestag. Kësaj radhe Wadephul nuk udhëton si politikan specialist, por si drejtues i një ministrie, kursi i së cilës ndaj vendeve të këtij rajoni perceptohet gjithnjë e më i paqartë.
Nga Podgorica, ku të hënën (17.11.2025) nisin bisedimet politike, vjen një kërkesë me kortezi, por e drejtpërdrejtë për orientim. Në një aktivitet të DGAP në Berlin më 13 nëntor, ministrja e Integrimit të Malit të Zi, Biljana Papovic, tha për DW se shpreson për “më shumë angazhim nga Berlini dhe më shumë qartësi se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet i qeverisë gjermane”.
Për Podgoricën, drejtimi energjik i Gjermanisë mbetet thelbësor – jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por për gjithë dinamikën e procesit të zgjerimit në BE.
Një sinjal i rëndësishëm politik
Në Tiranë, roli i Gjermanisë shihet ende pozitivisht. Por analistja politike Alba Cela nga AIIS paralajmëron, se mbështetja e Berlinit “nuk është aspak e vetëkuptueshme”. Barometri i fundit i BE-së tregon se vetëm 49 për qind e gjermanëve mbështesin zgjerimin. Prandaj, vizita e Wadephul për Tiranën është një sinjal politik me peshë.
Mbështetja për BE-në në Shqipëri është ndër më të lartat në rajon: mbi 80 për qind e qytetarëve janë pro anëtarësimit. Megjithatë, eksperti i DGAP-it, Milan Nic, kujton se Shqipëria “ndodhet ende në fillimin e një rruge të vështirë”. Vendi nuk ka mbyllur ende asnjë kapitull negociues dhe, sipas tij, sfidat më të mëdha do të shfaqen në fushat themelore: çështjet e pronësisë, rregullimi dhe mjedisi. “Aty fillon dhembja e vërtetë”, thotë Nic. Po ashtu, lufta kundër korrupsionit mbetet një temë e përhershme.
Serbia: ndalesa më delikate
Pika më e ndjeshme e turit është Beogradi. Mbështetja për BE-në në Serbi është rreth 38 për qind, ndërsa ndikimi i Rusisë mbetet i fortë. CDU ka lidhje të ngushta politike me partinë e presidentit Aleksandar Vuçiq – por Serbia është vendi më i dobët në raportin e progresit të Komisionit.
Deputeti i Bundestagut Boris Mijatovic (Bündnis 90/Die Grünen), i cili gjendet njëkohësisht në Ballkan së bashku me kolegun e tij Anton Hofreiter, kujton zgjedhjet e vitit 2023 në Serbi. OSBE dokumentoi manipulime dhe parregullsi – Mijatovic pret që Wadephul ta ngrejë këtë çështje në Beograd.
Ai paralajmëron edhe për një boshllëk të ri gjeopolitik: tërheqja e USAID-it nga programet e medias dhe demokracisë “krijon një problem të madh”, sepse liron më shumë hapësirë për ndikim rus.
