Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka reaguar pas sulmit të armatosur ndaj ekipit të saj në terren, duke bërë të ditur se incidenti ndodhi gjatë një aksioni për çkyçjen e një konsumatori nga rrjeti i ujësjellësit për shkak të borxheve të papaguara.
Në reagimin e kompanisë thuhet se konsumatori kishte qenë i furnizuar rregullisht me ujë, por nuk i kishte përmbushur obligimet financiare ndaj KRU “Mitrovica”, pavarësisht njoftimeve, paralajmërimeve dhe mundësisë për të lidhur marrëveshje për shlyerjen e borxhit.
“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Sipas KRU “Mitrovica”, nga incidenti nuk ka persona të lënduar, megjithatë rasti është cilësuar si tejet serioz dhe i papranueshëm.
