Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se zhvillimet e fundit në botë me luftën në Iran dhe mbylljen e ngushticës së Hormuzit mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës, përmes rritjes së çmimeve të naftës dhe energjisë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës përgatitjen urgjente të një pakete mbështetëse për bizneset dhe qytetarët.
Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online, tha se megjithëse Kosova nuk ka transport të drejtpërdrejtë përmes kësaj ngushtice, ndikimi vjen në mënyrë indirekte përmes tregjeve evropiane dhe bursave ndërkombëtare.
“Ne nuk kemi, si të them, anije që qarkullojmë përmes ngushticës së Hormuzit, mirëpo në mënyrë indirekte na ndikon, për shkak se shumë kompani evropiane që ndikohen nga ngushtica e Hormuzit, atëherë ne importojmë dhe me automatizëm edhe ne ndikohemi. Dhe jemi duke parë çmimin e naftës, në momentin që është rritur në bursat ndërkombëtare ose në tregjet botërore, me automatizëm është rritur edhe te ne. Kurse rritja e çmimit të naftës dihet që është kosto operative për çdo biznes dhe kjo i tërheq edhe rritjen e çmimeve në produktet e tjera dhe kështu ta shkakton një inflacion. Dihet që zyrtarisht 20% e tregtisë së naftës dhe energjisë elektrike bëhet përmes ngushticës së Hormuzit, ndërsa jozyrtarisht kjo shkon deri në 30%. Dhe padyshim që ka me na afektu edhe neve, por shpresojmë që do të përfundojë shumë shpejt dhe të mos ketë probleme, i kemi parë edhe shtetet e mëdha, fuqitë e mëdha që kanë bërë thirrje që të ruhet, të mos mbyllet, të mos lejohet me u mbyllë ngushtica e Hormuzit”, tha ai.
Kryetari Rafuna theksoi se paralajmërimet për rritje të çmimit të energjisë elektrike janë shqetësuese dhe kritikoi mungesën e komunikimit institucional.
“Duhet të përgatitet një paketë, ne kemi kërkuar edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të jetë e gatshme dhe t’i paraprijnë. Në rast se kemi një rritje sidomos të çmimit të energjisë elektrike, atëherë qeveria patjetër që duhet me pasë një paketë në mënyrë që me mbështetë biznesin, me mbështetë edhe qytetarin e Republikës së Kosovës. Dhe paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për neve ka qenë shumë shqetësuese, dhe më shqetësuese është moskomunikimi dhe mosinformimi nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike se çfarë po ndodh, për shkak se ka qenë një paralajmërim nëpërmjet mediave që kemi pasur mundësi me pa, se zyrtarisht s’kemi pranuar asgjë që do të ketë një rritje prej 1 prillit”, tha ai.
