Në reagimin e saj, KQZ thekson se organizimi i votimit jashtë vendit është bërë në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për regjistrimin e votuesve, votimin në përfaqësitë diplomatike dhe votimin përmes postës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë hapat konkretë për të mundësuar regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike apo përmes postës dhe organizimin e votimit. Gjithashtu, KQZ, përmes procedurave standarde të veprimit, ka rregulluar çështjen e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare, të cilat i takojnë votimit me postë”, thuhet në njoftim
Sipas KQZ-së, procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës është shoqëruar me masa të veçanta sigurie. Një prej tyre ka qenë verifikimi përmes fotografimit në kohë reale gjatë aplikimit.
“KQZ është kujdesur që procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës të përmbushë disa aspekte sigurie, në mesin e të cilave është fotografimi i aplikuesit derisa mban dhe njëkohësisht prezanton dokumentin e tij të identifikimit. Aplikuesi nuk mund ta ngarkojë fotografinë, por ai ose ajo duhet të fotografohet në momentin kur hapet kamera e platformës për regjistrim”, thekson institucioni.
KQZ nënvizon se çdo votues i regjistruar me sukses ka pranuar në adresën elektronike një dëftesë regjistrimi me të dhëna unike, dokument i domosdoshëm për verifikimin e vlefshmërisë së votës së dërguar me postë.
Institucioni zgjedhor bën të ditur se për zgjedhjet janë caktuar 30 qendra votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, përkatësisht 17 ambasada dhe 13 konsullata, ndërsa për votimin me postë janë hapur kuti postare në 22 shtete të ndryshme të botës, përveç kutisë së përhershme postare në Kosovë.
Në sqarim thuhet se, për të rritur sigurinë, që nga zgjedhjet lokale të vitit 2025 votuesve jashtë vendit u dërgohen fletëvotime të shtypura nga vetë KQZ-ja, të pajisura me elemente sigurie të njëjta me ato që përdoren në vendvotimet në Kosovë.
“Pako që përmban fletëvotimin dhe udhëzuesin për votim dërgohet përmes operatorit ekonomik në adresën e votuesit të regjistruar. Detyrë e votuesit është që në këtë pako të vendosë fletëvotimin e futur në zarfin e fshehtësisë dhe dëftesën e regjistrimit të pranuar nga KQZ, për ta dërguar më pas në kutinë postare të përcaktuar”, sqaron KQZ.
